http://www.vizionplus.tv https://facebook.com/VizionPlusTV https://twitter.com/VizionPlusTV Shumica e deputetëve holandezë në dhomën e ulët të parlamentit kërkojnë një rikthim të regjimit të vizave me Shqipërinë. Sipas pesë partive politike , kjo është e nevojshme për të parandaluar aktivitetet e mafias shqiptare në Holandë.Ata kërkojnë që ministrat e kabinetit të bëjnë presion ndaj Brukselit për të rifilluar regjimin e vizave. Deputetët konsiderojnë se kjo është mënyra e vetme për të ndaluar bandat kriminale që hyjnë në vend.Masa është mbështetur nga zyrtarët e policisë së Amsterdamit dhe të drejtësisë. Mediat holandeze citojnë se krimi i organizuar shqiptar luan rol kryesor edhe për pastrimin e parave.Ministri i Jashtëm Stef Blok u tha deputetëve se ai nuk ka ndërmend të përpiqet për rivendosjen e vizave. Sipas kryediplomatit holandez, nuk ka mbështetje të mjaftueshme për propozimin midis vendeve anëtare evropiane. Kjo vjen për shkak se, sipas Komisionit Evropian, Shqipëria i plotëson kushtet për një regjim pa viza.Dhoma e Përfaqësuesve dëshiron që Blok të insistojë në Bruksel për ripërtëritjen e kërkesës për viza duke përdorur ?procedurën e frenimit emergjent?. Përveç kësaj, çështja do ti paraqitet dhe liderëve të qeverive europiane.Ndërkohë Ministri I drejtësisë Ferdinand Grapperhaus tha se kriminaliteti shqiptar është rritur gjatë viteve të fundit. Sipas tij, Rotterdami dhe Amsterdami në veçanti duhet të luftojnë me shqiptarët që janë aktivë në trafikimin e kokainës. Policia holandeze ka deklaruar se shqiptarët po blejnë kokainë në Amerikën e Jugut.Sipas shumicës së deputetëve organizatat kriminale keqpërdorin mundësinë e udhëtimit pa viza përmes Evropës.Në këtë mënyrë ata do të zgjeronin më tej rrjetin e tyre të kontrabandës, ndërkohë mediat holandeze theksojnë se numri i kërkesave për azil nga shqiptarët u rrit ndjeshëm në 2015 dhe 2016, në një mesatare prej 1300 në vit. Në vitin 2018 janë paraqitur 550 kërkesa. Por, sipas ligjvënësve shumica e shqiptarëve nuk njihen nga autoritetet, sepse nuk janë të regjistruar në Holandë.