Është rikthyer në qarkun e Gjirokastrës sëmundja e Antraksit apo e njohur ndyrshe si sëmundja e plasjes, që prek bagëtitë e imta. Infektimi i kullotave po shkakton dëme tek të imtat dhe vatrat e reja nga sëmundja e antraksit, janë shënuar dy ditë më parë në fshatin Bulo që është pjesë e Bashkisë së Libohovës. Menjëherë specialistët e Drejtorisë së Bujqësisë në Gjirokastër, kanë izoluar vatrën e semundjes, duke shmangur kontaktin me njerëzit apo dhe me konsumatorët e mundshëm. Antraksi fillimisht u konstatua në kullotën e bariut Avdul Avdulaj, ku para disa javësh kishin ngordhur tre bagëti të imta. Ndërsa ditët e fundit rastet e përhapjes së antraksit janë shtuar në nivele shqetësuese në këtë zonë.
"Fillimisht ngordhën 2 ose 3 kokë dele, por unë kujtova se janë helmu nuk e vura re se ju ka rënë plasja. Pas 3 ditësh më ngordhen edhe 3 dele të tjera, lajmërova doktorin, pastaj pavarsisht se doktori j?u bëri vaksina ato ngordhën prap. Për herë të parë sivjet ju ka rënë kjo sëmundje nuk më ka bërë ndonjëherë tjetër vaki", shprehet Avdul Avdulaj.
Një tjetër bari shpreh shqëtësimin për përhapjen e antraksit duke rrezikuar kullotate bagëtive.
"Është një dëm i madh se po filluan mund të ngordhin shumë dele, pataj përhapet në zonë edhe hajde munde sëmundjen pastaj. Prandaj duhet të jetë në vrejtje të doktorave dhe duhet që vaksinat të bëhen çdo vit për plasje. Ndërsa edhe ne çobanët duhet të jemi më të kujdesshëm", shprehet Petref Avdulaj.
Në total janë gjithsej 11 bagëti që kanë ngordhur ditët e fundit në stanin e Avdul Avdulajt ndërkohë që rastet i janë nënshtruar masave të karantinës. Shërbimi Veterinar ka dërguar vaksina si mjete të vetme parandaluese për të shpëtuar nga kjo sëmundje e transmetueshme edhe tek njerëzit përmes konsumit te mishit të kafshëve. Krahas vaksinimit, është operuar edhe me groposjen e kafshëve të infektuara apo dhe me djegien e tyre. Bagëtitë e imta, delet dhe dhite në Gjirokastër preken shpesh nga sëmundja e plasjes si pasojë e infektimit nga bacilli i plasjes mikrob i cili qëndron aktiv 40 vjet nga momenti fillestar që nuk është eleminuar. Në kushtet e sotme me temperatura të larta, plasja gjen favorizim. Një javë më parë, katër rastet e para u konfirmuan në Sukë të Përmetit ku pati edhe tre persona të infektuar nga kjo sëmundje por pa probleme serioze për jetën.