Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u shpreh se sëmundja e gjedhëve, dermatoza nodulare, ka prekur dhe vendin tonë, kryesisht në veri dhe verilindje.
Panariti tha se kafshët e sëmura po mbahen në karantinë dhe ato do të asgjësohen për të mos përhapur sëmundjen tek kafshët e tjera.
Gjatë një konference për shtyp, Ministri i Bujqësisë tha se do të kompensohen të gjithë banorët të cilët kanë humbur kafshët.
"Dëmet janë lokalizuar në Shqipërinë Veriore dhe verilindore. Fati i madh që penguam futjen e infeksionit në qendër, perëndim dhe jug. Me autoritetet lokale do të bëjmë vlerësimin e dëmeve pasi ato janë dhe zona të varfra e do të shikojmë edhe mënyrat e kompensimit financiar ose edhe zëvendësim me krerë të shëndoshë. Të gjitha kafshët që kanë rezultuar pozitive do të ruhen në karantinë dhe do të asgjësohen, duke bërë vlerësimin e vlerës së kësaj kafshe me praninë e veterinerit dhe të të dëmtuarit", u shpreh Ministri i Bujqësisë.
Panariti i cilësoi efiçente masat e ndërmarra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
Megjithatë ai theksoi se nuk ka asnjë rrezik për konsumatorin, pasi është një virus i cili nuk e prek njeriun e nuk transmetohet përmes mishit.