Arkiva Lajme - Tv Klan 2000
Këshilli i Përkohshëm Administrativ ka hartuar sot një strategji të përbashkët për Mitrovicën pas trazirave në këtë qytet. Nuk do të lejojmë strukturat paralele në Mitrovicë ka deklaruar Kushner. Bernard Kushner eshte shprehur se strategji për Mitrovicën do të thotë sigurimi i qetësisë, rifillimi i punës e industrisë dhe pajtimi i etnive. Kushner deklaroi se është në djeni për 8 shqiptarë të vrarë dhe 2 serb të goditur në autobuzin e UNHCR-së. Por Kushner tha se është në një mendje me Thaçin për qetësimin dhe angazhimin më të madh të forcës së KFOR-it.
Ndërkohë Hashim Thaçi nënkryetari i këshillit të përgjithshëm administrativ të Kosovës, udhëheqës politik i ish UÇK-së ju ka bërë thirrje qytetarëve në Mitrovicë të bashkëpunojnë me komunitetin ndërkombëtar dhe mos të përdorin dhunën për të zgjidhur problemet e qytetit. Më tej ai ka deklaruar, nuk jemi shumë të kënaqur nga mënyra me të cilën ka reaguar policia e OKB-së dhe KFOR-i sepse ata e kanë neglizhuar problemin.
Gjithashtu Kushner sot ka bërë publike që Thaçi do të jetë bashkdrejtuesi i parë i këshillit të përkohshëm administrativ sëbashku me Xhekov, përfaqësues i OKB-së.
Rugova dhe Qosja pas mbledhjes së sotme të këshillit të përkohshëm administrativ janë shprehur se Mitrovica duhet zgjidhur patjetër. Ndërsa në prishtinë po sot qindra nëna kosovare kanë kërkuar lirimin e fëmijëve të tyre që mbahen në burgjet serbe, përpara selisë së OKB-së./tvklan.al
Gazetare ? Mirela Milori