Report TV - Vladimir Gjuta kapet me pistoletë me fishekë në gojë pranë selisë së PS-së

Report TV 2020-02-10

Views 0

TIRANË - Në një kohë kur në selinë e Partinë Socialiste ndodhej kryeministri Edi Rama dhe eksponentë socialistë, 10 minuta para nisjes së mbledhjes së kryesisë, efektivët e Gardës në shërbim pranë selisë rozë për ruajtjen e zyrtarëve, kanë pikasur një person të dyshimtë me xhup, kapele dhe një çantë në brez, në trotuarin pranë selisë,  përballë një exchange në zonën e "Dollarit". Menjëherë kanë kërkuar ndërhyrjen e forcave "Shqiponja" dhe të efektivëve të komisariatit numër tre. Oficerë të Gardës, të cilët kanë detyrë të monitorojnë perimetrin e sigurisë rreth selisë së PS-së, dhe dy të Shqiponjave kanë ndërhyrë duke ndaluar të dyshuarin, i cili rezultoi të ishte Vladimir Gjuta, i liruar nga paraburgimi disa ditë më parë. Gjuta kishte në çantë një pistoletë e cila ishte me plumb në gojë, që do të thotë gati për të qëlluar. Atij i janë gjetur me vete në një çantë me mbishkrimin Gucci edhe një vlerë e konsiderueshme parash, mbi 100 mijë euro. Pas ndalimit ai është shoqëruar në polici, nga ku mësohet të ketë deklaruar se pistoletën e kishte me vete për vetëmbrojtje, pasi do të këmbente një sasi të madhe parash.

A është ky një atentat i mbetur në tentativë ndaj eksponentëve të Partisë Socialiste, apo është një person i arrestuar vetëm për armëmbajtje pa leje, këto dyshime pritet t'i shuajnë hetimet e nisura.

Pas arrestimit të Gjutës, efektivët e Gardës dhe Departamenti i Sigurisë për funksionarët e lartë, kanë rritur sigurinë. Kështu, kryeministri Edi Rama, i cili mbërriti pak para orës 09:00 në selinë e PS-së me makinën tip Benz që udhëton në kryeqytet, në përfundim të mbledhjes, rreth orës 09:30 ka dalë nën shoqërinë e kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi. Por efektivët e gardës i kërkuan të kalojë tek "Lincoln", një automjet i blinduar, të cilin kreu i qeverisë zakonisht e përdor për udhëtime të gjata jashtë Tiranës, për shkak të sigurisë më të lartë që ka.

Vladimir Gjuta u lirua nga paraburgimi disa ditë më parë, pasi u arrestua për plagosje ndaj kushëririt të tij. 40-vjeçari përfundoi në pranga më 4 janar të këtij viti, pasi kishte rrahur me çekiç duke i thyer dhëmbët kushëririt të tij. Më herët Gjykata e Tiranës dha për Gjutën vendimin për mjekim të detyruar në psikiatri. Ndërsa së fundmi ai u la në detyrim paraqitje.

Gjuta nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare dhe policinë. Kohë më parë, ai ka kanosur edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilin dyshohet se është autori i vendosjes së lëndës plasëse në farmacinë e babait të tij, Bashkim Tahirit.

Share This Video


Download

  
Report form