TIRANË - Vetëm 10 minuta para se të niste mbledhja e kryesisë së PS, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, efektivë të Gardës e të policisë, arrestojnë jashtë selisë së PS Vladimir Gjutën me një pistoletë me fishekë në gojë, një dorezë metalike dhe mbi 100 mijë euro me vete në një çantë firmato "Gucci".
Në një kohë kur në selinë e Partinë Socialiste ndodhej kryeministri Edi Rama dhe eksponentë socialistë, 10 minuta para nisjes së mbledhjes së kryesisë, efektivët e Gardës në shërbim pranë selisë rozë për ruajtjen e zyrtarëve, kanë pikasur një person të dyshimtë me xhup, kapele Louis Vuitton dhe një çantë në brez, në trotuarin pranë selisë, përballë një exchange në zonën e "Dollarit". Menjëherë kanë kërkuar ndërhyrjen e forcave "Shqiponja" dhe të efektivëve të komisariatit numër tre. Oficerë të Gardës, të cilët kanë detyrë të monitorojnë perimetrin e sigurisë rreth selisë së PS-së, dhe dy të Shqiponjave kanë ndërhyrë duke ndaluar të dyshuarin, i cili rezultoi të ishte Vladimir Gjuta, i liruar nga paraburgimi disa ditë më parë. Gjuta kishte në çantë një pistoletë e cila ishte me plumb në gojë, që do të thotë gati për të qëlluar. Atij i janë gjetur me vete në një çantë me mbishkrimin Gucci edhe një vlerë e konsiderueshme parash, mbi 100 mijë euro si dhe një dorezë metalike. Pas ndalimit ai është shoqëruar në polici, nga ku mësohet të ketë deklaruar se pistoletën (me 23 fishekë) e kishte me vete për vetëmbrojtje, pasi do të këmbente një sasi të madhe parash.A është ky një atentat i mbetur në tentativë ndaj eksponentëve të Partisë Socialiste, apo është një person i arrestuar vetëm për armëmbajtje pa leje, këto dyshime pritet t'i shuajnë hetimet e nisura.
Pas arrestimit të Gjutës, efektivët e Gardës dhe Departamenti i Sigurisë për funksionarët e lartë, kanë rritur sigurinë. Kështu, kryeministri Edi Rama, i cili mbërriti pak para orës 09:00 në selinë e PS-së me makinën tip Benz që udhëton në kryeqytet, në përfundim të mbledhjes, rreth orës 09:30 ka dalë nën shoqërinë e kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi. Por efektivët e gardës i kërkuan të kalojë tek "Lincoln", një automjet i blinduar, të cilin kreu i qeverisë zakonisht e përdor për udhëtime të gjata jashtë Tiranës, për shkak të sigurisë më të lartë që ka.