TIRANE- Sapo Ministria e Brendshme, vendosi të zbatojë ligjin, mbetet ende durim e vullnet, për t' iu bashkangjitur legjislacionit të përbashkët evropian, ku edhe duam të anëtarësohemi. Arrestimi i mbi 50 personave, në më pak se 5 ditë nga shpallja e ashpërsisë, (dje u pezullua polici i Kurbinit, që u kap i dehur në timon), ka sjellë zbutje të aksidenteve, mirëpo duket se kjo nismë e policisë, për të nënshtruar shoferët e pabindur, mund të bëhet shkak për burokracira gjyqësore.
Raporti "Eurocare", "Drinking and Driving in Europe", përgatirur nga Peter Anderson, tregon praktikën e deritanishme evropiane dhe amerikane, në fushën e aksidenteve rrugore, që lidhen me alkoolin. Sakaq, eksperti i pavarur i AMF-së Anesti Vako thotë për gazetën "Shqiptarja.com" se "Në një përqindje të lartë, kemi vërejtur të aksidentuar nga shkaqe alkooli apo mungesë informacioni në drejtimin e mjeteve dhe nëse shoferët e aksidentuar nuk do të kishin përdorur alkool, në ato raste që kam verifikuar, mund të them se do të ishin shmangur dhjetra humbje jetësh njerëzore". Llogaritet që 2 për qind të 33 mijë aksidententeve 22 vitet e fundit, vijnë për këto shkaqe.