TIRANE- Eduart Belegu, njeriu më i besuar i dy ish-ministrave të Ekonomisë Dritan Prifti dhe Genc Ruli, është zhdukur nga tre persona ende të pa identifikuar, në momentin kur sapo kishte marrë 8 topa me dollarë në shumën 79 mijë USD.
Gazeta "Shqiptarja.com" zbulon se shuma financiare është marrë nga Thanas Gjinopulli ose siç njihet ndryshe "Nasho". Pikërisht ky person mëngjesin e 23 marsit 2010 i ka dhënë biznesmenit Eduart Belegu, tetë topa me dollarë, por për shkak se Belegu nuk ka pasur mundësi ti numërojë, pasi do udhëtonte në drejtim të Durrësit, shuma e lekëve është futur në qese nga ana e tij, dhe më pas Belegu ka dalë nga magazina tregtare e Nashos, që ndodhet afër pallatit të sportit "Asllan Rusi".
Pasi ka dalë nga ambjentet e kompanisë "Tirana Market" që administrohej nga Nasho, Belegu në rrugë është takuar me tre persona të paidentifikuar. Në dëshminë e tij Thanas Gjinopulli dhe në dëshminë e djalit të këtij të fundit, sqarohet se Eduartin e kanë parë që ka takuar tre persona, por s'kanë qënë në gjëndje të identifikojnë ata. Dyshohet se pikërisht këta persona kanë gisht në zhdukjen e biznesmenit Belegu, që sot e kësaj dite nuk dihet asnjë gjë për vendodhjen e tij. Por pas këtij momenti, që sipas policisë dhe prokurorisë është rregjistruar rreth orës 10:00 të mëngjesit,disa mesazhe të mistershme dhe telefonata janë bërë në adresë të tre personave. Këto mesazhe dhe telefonata që dyshohet se janë të koduara, ende nuk janë zbuluar nga policia.