A1 Report - Vlorë, korrupsioni me tenderat dënohen 8 zyrtarët e Orikumit

Report TV 2015-08-21

Views 21

VLORË - Tetë punonjës të Bashkisë Orikum, janë dënuar sot me nga 300 deri në 500 mijë lekë gjobë pasi u shpallën fajtorë për akuzën e "shkeljes së barazisë në tendera". Të dënuar janë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave: Riviera Mjalti, Hëna Capoj, Valbona Ibrushi, Enkelejda Xhelilaj, Ilir Kokuri, Alketa Karafilaj, Faslli Bozhani dhe Ilir Troqe. Dëmi i shkaktuar arrin në vlerën totale të 22.500.000 lekëve.

Burime nga prokuroria kanë bërë të ditur se, Gjykata e Vlorës, ka shpallur fajtor tetë punonjës të Bashkisë Orikum, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të akuzuar për "shkelje të barazisë në tendera" dhe i ka gjobitur me gjobë nga 300 mijë lekë deri në 500 mijë lekë të reja.

Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria e Vlorës ka zhvilluar hetimet pas një kallëzimi të mbërritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nga hetimet e prokurorisë u provua se këta zyrtarë publikë kanë kryer shkelje ligjore në të paktën dy procedura të prokurimit publik, fondi i të cilave arrin në vlerën totale të 22.500.000 lekëve.

"Në përfundim të procesit gjyqësor, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë dhe shpalli fajtor, Riviera Mjalti; Hëna Capoj; Valbona Ibrushi; Enkelejda Xhelilaj; Ilir Kokuri; Alketa Karafilaj; Faslli Bozhani dhe Ilir Troqe", bëri të ditur prokuroria.

Shkelja më e rëndë është konstatuar në procedurën e prokurimit me objekt, "rehabilitimi i lagjes 4 Orikum", me fond 20.833.000 lekë të reja. Nga shqyrtimi i dokumentacionit, ka rezultuar se në konkurim kanë marrë pjesë dy shoqëri, të cilat nuk plotësonin kushtet teknike dhe ligjore. Në rastin konkret, asnjë nga dy operatorët ekonomik që kanë paraqitur ofertën e tyre në lidhje me tenderin e zhvilluar nuk kanë plotësuar kriteret specifike për kualifikim dhe duhej që të ishin skualifikuar dhe të përsëritej procedura e prokurimit.

Në vlerësim të rrethanave të mësipërme, rezulton që lidhur me procedurat e prokurimit të përshkruar më sipër, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë në tendera, si dhe kërkesat e parashikuara në dokumentat e tenderit kanë shpallur fitues së procedurës së prokurimit "Rehabilitim i lagjes 4 Dhjetori, Orikum", shoqërinë "S...." sh.p.k, duke i krijuar kësaj shoqërie avantazhe dhe privilegje të padrejta.

Po ashtu, Prokuroria e Vlorës ka hetuar mbi kallëzimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ka faktuar shkelje në procedurën e prokurimit publik "Blerje autoveture", me fond 2.500.000 lekë të reja nga të njëjtën anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Bashkia Orikum. Në përfundim të hetimit është konstatuar se në këtë procedurë kanë marrë pjesë dy kompani dhe është shpallur fituese shoqëria "Q.... sh.p.k", pavarësisht faktit se nuk plotësonte kriteret specifike pjesëmarrjen në tender.

Share This Video


Download

  
Report form