TIRANE - Qeveria fal 31 milionë euro borxhe që institucione të ndryshme publike kanë krijuar me konsumin e papaguar të energjisë elektrike ndaj kompanisë CEZ. Edhe kësaj të fundit, i janë "fshirë" gjithashtu 31 milionë euro detyrime ndaj kompanisë shtetërore KESH. Kjo është përmbajtja e një Vendimi të Këshillit të Ministrave, që mban datën 3 prill, ditë, gjatë së cilës nuk është zhvilluar mbledhje qeverie, por duket se urgjenca e një vendimi të tillë është diktuar nga nevoja për të zgjidhur problemin e mbartur të borxheve të ndërsjellta në energjetikë.
Detyrimet
Sipas VKM, Këshilli i Ministrave ka vendosur miratimin e shuarjes me kompensim të detyrimeve të krijuara, të njohura dhe rakorduara mes palëve. Institucionet buxhetore dhe institucionet që financohen nga buxheti kanë rakorduar detyrimet e energjisë elektrike, të krijuara deri më datë 31.12.2013. Këto detyrime ndaj Shoqërisë CEZ Shpërndarje do të shuhen në deri në vlerën 4.447.019.092 lekë, gjë që është miratuar nga CEZ.
Po kështu, detyrimet e krijuara deri më datë 31.12.2013 të CEZ Shpërndarje ndaj KESH sh.a, për energjinë e lëvruar nga KESH do të shuhen me të njejtën shumë. Dhe po me këtë shifër, edhe detyrimet e krijuara nga KESH ndaj qeverisë për huatë e marra nga KESH, për të cilat Ministria e Financave ka hyrë në marrëdhënie nënhuazimi, garancie shtetërore apo kredidhënie.
Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë. Ai mban firmën e kryeministrit Edi Rama, si dhe është kundërfirmuar nga ministrat Arben Ahmetaj, Shkëlqim Cani, Damian Gjiknuri dhe Edmond Haxhinasto.
Në VKM theksohet se detyrimet e bashkive që shuhen në total janë 243.813.845 lekë, detyrimet e komunave 381.711.109 lekë, detyrimet e ujësjellësve që shuhen në total 2.669.426.844 lekë dhe detyrime të tjera total 1.105.987.470 lekë.
CEZ Shpërndarje
Vendimi i qeverisë është marrë pak ditë pas një akt-rakordimi financiar, për të cilën është rënë dakord midis kompanive KESH dhe CEZ. Dokumenti mban datën 28 mars 2014 dhe mban firmat e dy drejtuesve të Korporatës shtetërore, Agron Hetoja dhe CEZ-it aktualisht nën administrim shtetëror, Arben Seferaj.
Në bazë të këtij akti, CEZ pranon se totali i 10 faturave të papaguara ndaj KESH-it kap shifrën 5.8 milionë lekë të reja, ose 41.4 milionë euro. Pas "fshirjes" së detyrimeve, CEZ mbetet ende debitor ndaj shtetit në masën 1.35 miliardë lekë, ekuivalenti i 10 milionë eurove.
Masa
Vendimi është në vijim të strategjisë, së miratuar pak javë më parë nga qeveria për të shlyer detyrimet e prapambetura të institucioneve buxhetore dhe jo-buxhetore të faturave ndaj kompanive të sektorit publik të energjisë, duke përfshirë një mekanizëm të shlyerjes me kompensim të detyrimeve te prapambetura të sektorit publik deri në 10 miliardë lekë ndaj pjesëmarrëseve të sektorit publik të energjisë që kanë detyrime të prapambetura dhe masat që do të kërkohen për të parandaluar krijimin e detyrimeve të mëtejshme financiare.
Shkrimi u publikua sot (5.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)