Kandidati i Demokracisë së Re për Bashkinë e Janinës, Nikolaos Godas kërkon të sjellë më afër kryeqytetin shqiptar me Janinën. Në një prononcim për "A1 Report", Godas i cili kandidon për kryetar bashkie në Janinë, ka prekur ndër të tjera edhe çështjen e integrimit në jetën e përditshme të shqiptarëve që jetojnë prej vitesh në këtë qytet me 80 mijë banorë.
"Përherë kam dashur që Shqipëria dhe shqiptarët të jenë pjesë e miqësisë me Greqinë dhe përherë jam bërë iniciator i marrjes së projekteve zhvilluese ndërkufitare dhe tashmë po loboj për gjetjen e fondeve të sigurta përmes programeve të BE që të investohen në Shqipërinë e jugut."
"Gjithmonë e kam pasur një ëndërr për të realizuar, afrimin e Tiranës me Janinën. Këtë ëndërr unë do ta realizoj nëse do të jem kryetar bashkie ashtu siç solla Selanikun me Janinën për dy orë me rrugë tokësore nga tetë orë që ishte. Ashtu do ta realizoj edhe projektin që unë kam për të sjellë Tiranën në Janinë, do te jene vetëm dy orë larg në rruge tokësor", është shprehur ai.
Nikolaos Godas, ka qenë kryebashkiak i Janinës në 2000-2010 në një periudhë kur në Janinë qindra familje shqiptare janë bërë pjesë e votimeve për bashkinë e këtij qyteti.